Profili

Kush është Majlinda Kelmendi

Majlinda Kelmendi ka fituar 15 medalje të arta, 6 medalje të argjendta, dhe 8 medalje të bronzta në garat ndërkombëtare. Të gjitha medaljet e fituara në 5 vitet e fundit, i kanë mundësuar Majlindës një vend të merituar në Lojërat e ardhshme Olimpike Londra 2012. Ajo renditet si Xhudistja e 5-të më e mirë në kategorinë nën 52kg. Në luftërat e saj të fundit, ajo ka fituar kundër xhudistes mongoliane Budmaa Mukbaatar e cila renditet e dyta në botë. Që nga viti 2006, në garat ndërkombëtare Majlinda ka fituar 76 luftëra dhe ka humbur vetëm 23. Këto rezultate e bëjnë Majlinda Kelmendin sportisten më të mirë Kosovare në 30 vjetët e fundit.

Majlinda është në fillimin e jetës aktive në xhudo. Në vitin 2012, ajo do të mbushë 22 vjet. 80% e medaljeve janë fituar nga xhudistet e moshës 23-30. Kjo i jep Majlindës një mundësi unike për të marrë pjesë në 3 lojëra Olimpike.

Suksesi i saj është i veçantë për Kosovën: ajo është lindur, rritur dhe trajnuar këtu, në kushtet e vështira të cilat ekzistojnë në Kosovë. Mundësitë e saj janë të kundërta me kundërshtarët e Majlindës, të cilët janë nga vendet me traditë në sporte siç janë: Japonia, Kina, Spanja dhe Gjermania.

Identiteti i saj 100% kosovar është i një rëndësie të veçantë . Shumica e heronjve kosovarë në sport janë të lidhur me ndonjë shtet të zhvilluar. Disa nga shembujt janë sportistët si ylli zviceran me prejardhje shqiptare Xherdan Shaqiri i Basel-it në Zvicër apo bokseri gjerman me prejardhje nga Kosova Luan Krasniqi, i cili ka lindur në Kosovë por është zhvilluar dhe trajnuar në Evropën perëndimore.

Majlinda është shembull që mund ti motivojë Kosovarët që ti shikojnë aftësitë e tyre dhe të përgatiten për t'i zhvilluar ato më tepër që të arrijnë në Lojërat Olimpike pa marrë parasysh shanset.

Fama ndërkombëtare

Majlinda Kelmendi dhe ëndrra e saj Olimpike nuk është një ngjarje vetëm në Kosovë, tani më është ndërkombëtarizuar. Ajo është një nga 25 sportistet nga e gjithë bota që do të shfaqen në seritë e BBC-së, Ëndrrat Olimpike. Në reportazhin e shkruar në vitin 2010, para se Majlinda të fitonte 3 medaljet në kampionatin botëror duke siguruar një vend në Lojërat Olimpike 2012, BBC shkruante:

"Ajo është pa dyshim krenaria e Kosovës. Por kjo atlete e vendosur nuk do të ndalet me kaq. Ajo do të vazhdojë të luftojë deri sa të hyjë në stadium në Londër duke shpresuar që do të mbajë flamurin e Kosovës".

Pa marrë parasysh se çfarë flamuri do të mbajë Majlinda në Olimpiadë, ajo do jetë vajza nga Kosova e cila ka arritur në Olimpiadë me rezultate e jo në bazë të kuotimit internacional, ajo i ka mposhtur të gjitha parashikimet.

Lajme

Londra 2012

Kosovarja e vetme që ka siguruar pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike Londra 2012, ka lansuar web faqen dhe profilin e vet zyrtar në Facebook duke u përgatitur për një prezantim të denjë të sportistes ne vitin e Olimpiadës.

Xhudistja ka rezervuar emrin majlindakelmendi.info ...

më shumë